Ish-‘ylli’ i Real Madridit, Gareth Bale, ka pranuar se ka pasur gjithmonë frikë nga mundësia e falimentimit pas përfundimit të karrierës. Fitues i 19 trofeve, mes tyre pesë Liga të Kampionëve, Bale i dha fund futbollit në moshën 33-vjeçare, pas Kupës së Botës 2022 me Uellsin, dhe që atëherë është përqendruar në jetën jashtë fushës, kryesisht në golf dhe investime.
“Është diçka që gjithmonë më ka shqetësuar. Lexon artikuj për ish-sportistë që mbeten pa asgjë pasi lënë sportin profesionist. Nuk dinë si të menaxhojnë paratë, nuk dinë çfarë të bëjnë më pas. Mendoj se shumë prej tyre jetojnë një jetë luksi, gjë që unë përpiqem të mos e bëj. Gjithmonë kam menduar se si do të ishte jeta ime pas futbollit”, tha Bale për Front Office Sports.
Përtej pasurisë, Bale thotë se fokusi i tij sot është ruajtja e stabilitetit financiar dhe ndërtimi i një jete të qetë, larg luksit të tepërt që ka shkatërruar shumë ish-sportistë.