Haaland i jep një mesazh Italisë

Erling Haaland ka folur me zemër të hapur për futbollin, jetën dhe frikën më të madhe që e shoqëron. Sulmuesi norvegjez, i vendosur në të njëjtin grup me Italinë për kualifikueset e Botërorit 2026, dërgoi një mesazh për “axurrët”.

“Dua të fitoj sërish Champions League me Manchester City dhe pastaj të luaj një Botëror ose një Evropian me Norvegjinë. Ka ardhur koha që të marrim pjesë në një turne të madh dhe pse jo, ta fitojmë. Do të ishte një festë e jashtëzakonshme për njerëzit tanë.”, tha ai në një intervistë për programin The A-Team. 25-vjeçari tregoi edhe anën më të brishtë personale, duke pranuar se frika më e madhe e tij është vdekja. “Shpesh para se të fle, mendoj çfarë do të ndodhë ditën kur të vdes. A do të shkoj në Parajsë apo në Ferr? Këto pyetje më vijnë në mendje.”, rrëfeu sulmuesi në një reflektim të lidhur edhe me humbjet e rënda që ka përjetuar kohët e fundit: gjyshin, agjentin e tij Mino Raiola dhe një mik të ngushtë. Nga dhimbja, Haaland kaloi te gëzimi i madh i jetës, duke folur për rolin e tij si baba, pas lindjes së djalit tetorin e kaluar: “Ditën që lindi, luajta një ndeshje dhe më pas shkova direkt në spital. Ndiqa të gjithë lindjen. E di që futbollistët nuk mund të jenë gjithmonë pranë fëmijëve të tyre, ndoshta Guardiola nuk do të ishte i lumtur nëse do të mungoja për ditëlindjen e djalit tim… por e di që pasi të tërhiqem, do të jem gjithmonë aty për të.”, tha 25 vjeçari. Një rrëfim i rrallë, ku Haaland shfaqet jo vetëm si një prej sulmuesve më të fortë në botë, por edhe si një djalë e baba i ri që përballet me frikërat, humbjet dhe emocionet e jetës.