Zguro sfidon rivalët: Pogradeci, shumë shpejt në krye

Pogradeci ka dhënë sinjale të forta se më në fund e ka gjetur ritmin e duhur. Pas një starti të ngadaltë në kampionat, liqenorët janë rikthyer fuqishëm në javën e pestë, duke marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Kukësit, me rezultatin 3-1 në “Kukës Arena”.

Ky sukses ka rritur ndjeshëm moralin e skuadrës së drejtuar nga trajneri Ardian Mema, e cila pas pesë javësh kampionat ka grumbulluar tetë pikë. Aktualisht, pogradecarët renditen pesë pikë larg kryesuesit Skënderbeu dhe vetëm një pikë larg vendit të dytë, duke mbetur plotësisht në garë për objektivat madhorë. Kapiteni i skuadrës, Vangjel Zguro, në një prononcim për mediat, shprehu bindjen se Pogradeci ka kohë dhe cilësi për të përmbysur këtë diferencë dhe për të luftuar fort për ngjitjen në Superiore. “Është e vërtetë që kemi një diferencë prej pesë pikësh, por kjo nuk na tremb aspak. Ka ende shumë ndeshje përpara dhe jam i sigurt që do t’i rikuperojmë.

Nuk kemi asnjë lloj inferioriteti ndaj ekipeve të tjera pretendente”, deklaroi fillimisht Zguro. Mbrojtësi i majtë rikujtoi gjithashtu disa prej takimeve kyçe, ku sipas tij, fati nuk ka qenë në anën e liqenorëve. Ai përmendi humbjen dramatike me Skënderbeun në minutat shtesë, si dhe fitoren e arritur ndaj Laçit, dy ekipe që janë të konsideruara ndër pretendentët kryesorë për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. “Ndeshjen ndaj Skënderbeut e humbëm në kohën shtesë dhe mund ta kishim fituar. Po ashtu, kemi mposhtur Laçin, një tjetër skuadër pretendente.

Këto janë sinjale që na japin besim. Kam shumë besim te loja jonë. Nga java në javë do të jemi gjithnjë e më shumë në krye të renditjes”, përfundoi kapiteni. Me këtë fitore dhe moralin e rritur, Pogradeci konfirmon statusin e tij si një prej skuadrave kryesore që do të luftojnë deri në fund për një vend në Superiore, duke i shtuar më shumë konkurrencë kampionatit aktual.

sfidanti.al