Lamine Yamal po shkruan historinë në futboll që në moshë shumë të re. Ai debutoi me Barcelonën më 29 prill 2023, në moshën 15 vjeç e 9 muaj, duke u bërë lojtari më i ri që ka veshur fanellën blaugrana.
Në moshën 17-vjeçare fitoi Kampionatin Europian me Spanjën, ndërsa në 18 vjeç arriti të kualifikohej si kandidat për Topin e Artë, ku u rendit i dyti pas Ousmane Dembélé.
Karriera e tij e shpejtë po krahasohet me atë të Boris Becker, gjermanit që në moshën 17-vjeçare fitoi Wimbledon dhe më pas mbylli karrierën me gjashtë tituj “Grand Slam”. Pikërisht ish-tenisti ka dhënë një këshillë të fortë për talentin e Barcelonës:
“Lamine është i jashtëzakonshëm, lojtari më i mirë i ri në botë. Më kujton veten time në moshën 17-vjeçare. Por ka një sinjal alarmi. Sfida më e madhe për të nuk është brenda fushës, por jashtë saj.
Vjen nga një familje e thjeshtë dhe tani është i pasur, bashkë me ta. Shumë njerëz do t’i afrohen për interes. Ai ka humbur privatësinë. Prandaj duhet të ketë përreth dy ose tre persona të besuar, të zgjedhë miq të vërtetë dhe të ndërtojë një rrjet sigurie”, u shpreh Becker.
Duke kujtuar përvojën e tij, legjenda e tenisit shtoi: “Kur fitova Wimbledon isha ende një djalosh. Çdo gjë që bëja kthehej në lajm botëror. Jam i lumtur që e ngrita tre herë atë trofe, por në moshën 17-vjeçare ishte shumë herët. Ende isha një fëmijë”.
sfidanti.al