Franco Mastantuono, talent argjentinas i Real Madridit, foli pas fitores 4-1 kundër Levantes, ku shënoi golin e tij të parë me fanellën e bardhë. Mes emocionesh dhe buzëqeshjesh, ai theksoi se rrjeta e gjetur ishte një hap i madh për të fituar besim:
“E prisja golin, edhe pse nuk ishte gjëja kryesore. Jam shumë i lumtur, kjo më jep forcë të vazhdoj”, u shpreh ish-lojtari i River Plate. Mastantuono u përpoq të shmangte krahasimet me Lamine Yamal: “E uroj për vendin e dytë në Topin e Artë. Është lojtar i madh, por unë nuk dua të krahasohem me askënd. Dua të jap maksimumin për skuadrën dhe pastaj vijnë gjërat individuale”.
I riu ndjeu nevojën të theksonte edhe përshtatjen e tij të shpejtë në Madrid:
“Shokët më kanë dhënë shumë besim, më duket sikur jam këtu prej kohësh. Është një kënaqësi të stërvitesh e të garosh në një grup kaq të fortë. Jam në një realitet të ri, një ligë të re, por çdo ditë ndihem më mirë”. Në veçanti, Mastantuono i kushtoi fjalë të mëdha Jude Bellingham-it, me të cilin duhet të konkurrojë për një vend në formacion:
“Bellingham është një lojtar i pabesueshëm, kurrë nuk kam parë dikë si ai. Ka qetësi, personalitet dhe një garë të jashtëzakonshme. Do të na ndihmojë shumë. Më ka impresionuar si futbollist dhe si njeri. Është unike ta kesh në skuadër”.
Me personalitet të fortë dhe besim në forcat e tij, Mastantuono premton të japë gjithçka për Real Madrid: “Nuk është e rëndësishme individi, por ekipi. Jam këtu për të ndihmuar që Madrid të fitojë”.
sfidanti.al