Pas Alen Sherrit, një tjetër emër nga Shkodra do të jetë pjesë e Serisë B në sezonin e ri. Bëhet fjalë për mbrojtësin e ri premtues, Ervin Bashi, i cili ka firmosur kontratë me Catanzaro-n, klub ambicioz që synon të ngjitet në elitën e futbollit italian.
Vetëm pak ditë larg ditëlindjes së tij të 20-të, Bashi i bashkohet kështu një niveli më të lartë të futbollit profesionist, pas një sezoni pozitiv me Pro Patrian në Serinë C.
Ervin Bashi është i lindur në Itali, por me rrënjë nga Shkodra. Ai është rritur futbollistikisht në akademi të ndryshme në vendin fqinj, përfshirë edhe një periudhë të rëndësishme në Akademinë e Milanit, ku ka qenë pjesë e ekipit U-18 nga korriku i vitit 2022 deri në qershor të 2023-shit.
Në arenën ndërkombëtare, Bashi është aktivizuar rregullisht me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Fillimisht u grumbullua nga trajneri Armando Cungu me U-19-ën, ndërsa së fundmi është pjesë e kombëtares U-21 nën drejtimin e Alban Bushit. Ai luan si qendërmbrojtës dhe dallohet për fizikun e tij imponues dhe aftësinë e shkëlqyer në duelet ajrore.
Ky transferim në Serie B përfaqëson një hap të madh në karrierën e Bashit. Me një ambient më konkurrues dhe më shumë ekspozim, ai do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij, duke hapur potencialisht rrugën drejt Serisë A dhe ndoshta edhe një rol më të rëndësishëm në kombëtaren shqiptare të së ardhmes.
sfidanti.al