Momente paniku për Cristian Panucci-n. Ish-trajneri i Shqipërisë është përballur me një incident të rëndë pranë banesës së tij në Romë. Në zonën mes Fonte Laurentina dhe Spinaceto, në oborrin e vilës së tij luksoze, është djegur automjeti i tij personal, një makinë e tipit “Audi Q8”.
Sipas raportimeve të para nga autoritetet policore italiane, zjarri që përfshiu automjetin është konsideruar si një akt i qëllimshëm, duke hedhur poshtë mundësinë e ndonjë defekti teknik apo aksidenti të rastësishëm. Dyshimet e para janë për një zjarrvënie me qëllim, që ka ngjallur menjëherë reagimin hetuesve për të kuptuar motivin e këtij akti.
Fatmirësisht, vila e Panucci-t nuk ka pësuar dëmtime dhe asnjë nga anëtarët e familjes nuk ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit, pasi ai ndodhet aktualisht në Dubai. Ky ka qenë një lehtësim i madh për të gjithë, duke marrë parasysh rrezikun që përbën një zjarr i përmasave të tilla pranë banesës.
Autoritetet italiane janë duke analizuar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, si ato të instaluara në vilën e Panuccit, ashtu edhe në rrugët përreth, për të zbardhur identitetin e autorëve dhe qëllimin e këtij veprimi të rëndë. Hetuesit po shqyrtojnë çdo pistë të mundshme, përfshirë edhe hipotezën e një tentative të dështuar për vjedhje, e cila mund të ketë përfunduar me zjarrvënie për të zhdukur gjurmët.
Ndërkohë, është konfirmuar se ndaj Christian Panucci-t nuk ka pasur asnjë kërcënim të raportuar më parë, çka e bën edhe më misterioz këtë incident. Fakti që një automjet i tij luksoz është zgjedhur si objekt sulmi, ka ngjallur shqetësime të mëdha dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për qëllimin e vërtetë pas këtij akti. Me t’u kthyer në Itali, Panucci do të merret menjëherë në pyetje nga autoritetet hetimore, me qëllim për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri në atë moment, hetimet do të vazhdojnë intensivisht për të identifikuar autorët dhe për të kuptuar nëse pas kësaj qëndron një motiv personal, profesional apo thjesht një akt kriminal i izoluar.
Kjo ngjarje ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së personave publikë, sidomos atyre që kanë pasur karrierë në sport dhe vazhdojnë të jenë figura të njohura. Panucci, tani gjendet në qendër të një hetimi që mund të zbulojë më shumë se thjesht një akt vandalizmi. Ngjarja pritet të marrë zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.
sfidanti.al