Guardiola, divorci shokoi familjen

Pas më shumë se 30 vitesh së bashku dhe 10 vitesh martesë, Pep Guardiola dhe bashkëshortja e tij, Cristina Serra, i kanë dhënë fund lidhjes së tyre, duke njoftuar ndarjen në janar të këtij viti. Një vendim që i befasoi të gjithë dhe që, sipas gazetës El Periódico, ka arsye shumë më të thella. Nuk bëhet fjalë për probleme në marrëdhënien mes tyre, pasi të dy po ndjekin procedurat e divorcit me të njëjtin avokat, në përpjekje për ta përmbyllur situatën në mënyrë sa më paqësore. Shkaku i vërtetë i ndarjes, sipas raportimeve, lidhet me Manchester Cityn. Klubi ndodhet në mes të një procesi gjyqësor që mund t’i kushtojë edhe rënien në Championship, por pavarësisht kësaj, Guardiola ka vendosur të zgjasë kontratën e tij deri në vitin 2027.

Rinovimi i trajnerit katalanas i befasoi jo vetëm bashkëshorten e tij, por edhe të gjithë familjen. Sipas burimeve të El Periódico, të afërmit e teknikut Guardiola e kishin marrë të mirëqenë idenë se ai do të largohej nga Mançesteri, i bindur nga dëshira e tij për ta mbyllur atë eksperiencë në Angli. Por, për Cristina Serra, ky vendim erdhi krejtësisht i papritur. Edhe pjesa tjetër e familjes, e cila mendonte se një transferim i teknikut ishte i pashmangshëm, mbeti e shokuar nga zgjedhja e spanjollit për të qëndruar.

Cristina Serra u kthye në Barcelonë që në vitin 2019, së bashku me djalin më të vogël të çiftit, për t’u fokusuar te projektet e saj profesionale. Thuhet se ajo vendosi t’i japë fund martesës pasi mësoi se Guardiola kishte zgjedhur të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2027. Një vendim që, për momentin, duket se nuk po i jep frytet e dëshiruara për trajnerin spanjoll, i cili po përjeton një sezon të vështirë: City u eliminua nga Liga e Kampionëve pa arritur as në fazën e 1/8-ave dhe ndodhet në vendin e pestë në kampionat, plot 20 pikë pas Liverpool kryesues.

sfidanti.al