Barcelona – Real mund të luhet në “Wembley”

Hipoteza që ndeshja më e madhe e futbollit spanjoll, “El Classico” të luhet jashtë kufijve të Spanjës po bëhet gjithnjë dhe më e mundur. Me Barcelonën dhe Real Madridin që do të përballen më 11 maj në një sfidë që mund të jetë vendimtare për fatet e titullit të La Liga-s, klubi katalanas po shqyrton mundësinë e zhvillimit të këtij takimi në një stadium që ofron kapacitete më të mëdha se ato të impiantit të tyre aktual. Barcelona është e detyruar të luajë ndeshjet e saj në stadiumin olimpik për shkak të punimeve në “Camp Nou”, i cili pritet të jetë gati për sezonin e ardhshëm. Stadiumi aktual ka një kapacitet prej rreth 55 mijë vendesh, një shifër që nuk përmbush kërkesat për një ndeshje me përmasa të mëdha si “El Classico”. Për Barcelonën, “Wembley” nuk është thjesht një stadium, por një vend me një rëndësi të veçantë historike. Pikërisht në këtë fushë, në vitin 1992, klubi katalanas fitoi Kupën e parë Evropiane në historinë e tij, duke triumfuar kundër Sampdorias falë një goli të paharrueshëm të Ronald Koeman. Për tifozët e Barcelonës, një kthim në këtë stadium do të ishte një moment nostalgjik dhe një kujtesë e lavdisë së kaluar. Megjithatë, një zhvendosje e tillë nuk është pa pengesa. Sipas rregullave aktuale të FIFA-s, kampionatet kombëtare duhet të zhvillojnë të gjitha ndeshjet e tyre brenda kufijve territorialë të vendeve respektive. Për të bërë të mundur organizimin e kësaj sfide në Angli, është e nevojshme që Federata Spanjolle e Futbollit dhe La Liga të marrin miratimin e FIFA-s, pasi kjo e fundit ende ka një klauzolë që ndalon zhvillimin e ndeshjeve zyrtare jashtë territorit kombëtar. Një marrëveshje mes FIFA-s dhe organizatorëve të futbollit spanjoll mund të hapë rrugën për realizimin e kësaj ideje. Nëse Barcelona arrin të marrë dritën jeshile përfundimtare nga institucionet përkatëse, “El Classico” do të bëhej një precedent historik për La Ligën, duke e bërë këtë përballje një event global të paprecedentë.

sfidanti.al