Performanca e Kenan Yildiz mbrëmë në fitoren e Juventusit kundër Manchester City-t të Pep Guardiolës ka lënë një përshtypje pozitive tek shumë komentatorë teknikë, përfshirë edhe disa ish-lojtarë të mëdhenj të “kushërinjve” të Citizens, Manchester United. Në këtë rast, bëhet fjalë për Paul Scholes, mesfushor legjendar i epokës së Sir Alex Ferguson, me 718 paraqitje dhe plot 155 gola të shënuar. Pas përfundimit të ndeshjes në “Allianz Stadium”, Scholes publikoi në Instagram Stories një mesazh ku shkruante: “Kush dreqin është ky Yildiz…?” duke e shoqëruar me një emoji duartrokitjesh për numrin dhjetë të ri të bardhezinjve. Ja vlerësimi nga TMW për paraqitjen e turkut: Yildiz 7.5 – Një ndeshje si numri 10 i Juventusit, një lider teknik kundër një kundërshtari të nivelit botëror. Lojtari më i mirë i bardhezinjve në pjesën e parë dhe, më pas, në minutën e 53-të, bën edhe më mirë duke dhënë një asist perfekt për Vlahovic, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes.
sfidanti.al