Inter rrezikon shumë

Ndërkohë që Simone Inzaghi, futbollistët dhe tifozeria zikaltër përgatiten për kurorëzimin zyrtar si kampionë të Italisë, me ceremoninë që do të mbahet të dielën pas ndeshjes me Lazion në “San Siro”, klubi po kalon momente vendimtare në nivel pronësie. Grupi Suning, që zotëron edhe pjesën dërrmuese të aksioneve, duhet të shlyejë kredinë pranë fondit Oaktree brenda të martës, për të mos humbur zotërimin e klubit zikaltër dhe deri tani përpjekjet duket se janë të pasuksesshme. Kjo pasi amerikanët e Oaktree këmbëngulin që familja Suning të shesë klubin, ose në të kundërt të marrin pronësinë dhe ta shesin vetë, duke u kthyer atyre pjesën e parave që u korrespondon nga aksionet që u mbeten. Nga ana tjetër, i nxitur edhe nga një 3-vjeçar mjaft pozitiv në aspektin ekonomik e sportiv, por edhe optimizmi për të ardhmen, grupi Suning ka ndryshuar plane dhe dëshiron të transferojë borxhin në një tjetër fond, për të mbajtur aksionet dhe për të shitur klubin në të ardhmen me çmim akoma më të lartë. Opsioni më i mundshëm është që Zhang të mos arrijë një marrëveshje sponsorizimi dhe Oaktree të marrë zotërimin e klubit, për ta shitur dhe për t’i kthyer grupit Suning pjesën e parave që i takojnë nga aksionet që do t’i mbeten. Një tjetër opsion është që Oaktree t’i zgjasë periudhën e huadhënies grupit Suning me 6 muaj apo një vit, me kushtin që këta të fundit ta shfrytëzojnë kohën për të shitur aksionet dhe shlyer detyrimet. Opsioni i tretë dhe ai më pak i mundshëm, është që Oaktree të miratojë marrëveshjen e Zhang me fondin Pimco, për të marrë paratë që i takojnë dhe për të hequr dorë përfundimisht nga klubi zikaltër. Në këtë mënyrë Zhang do të fitonte edhe tre vite kohë për të rritur edhe më shumë vlerën e klubit dhe për ta shituar më pas edhe më shtrenjtë, por ky opsion nuk preferohet shumë nga Suning

sfidanti.al