Shevchenko drejt presidencës së futbollit të Ukrainës

Ukraina e tij është ende duke u përballur me sfidën më të vështirë, të shkaktuar nga lufta me Rusinë, e cila vazhdon pa ndalim prej gati dy vitesh. Andriy Shevchenko është gati të japë kontributin e tij në punën e riorganizimit të lëvizjes së futbollit ukrainas, e cila u vu në vështirësi nga konflikti ushtarak. Ish-sulmuesi i Milanit është në fakt i vetmi kandidat për president të Federatës së Futbollit të Ukrainës (UAF). Anëtarët e organit më të lartë vendor të futbollit kanë dhënë dritën jeshile për kandidimin e ish-sulmuesit të shquar, të lindur më 1976, i cili po përgatitet kështu të marrë një rol drejtues, pas përpjekjeve të bëra mes fushës dhe pankinës. Mbledhja e komisionit, i cili vendosi kompetencat e delegatëve dhe kuorumin e Kongresit XXVI të Jashtëzakonshëm, u mbajt të mërkurën e 27 dhjetorit. Anëtarët e komisionit e vlerësuan të përshtatshme kandidaturën e Shevchenkos dhe kështu, më 25 janar, ai do të mund të zgjidhet në krye të Federatës së Futbollit të Ukrainës. Zgjedhjet do të mbahen në “Shtëpinë e Futbollit” në Kiev, në orën 12:00, me orën lokale. Pasi “vari këpucët në gozhdë”, Shevchenko iu përkushtua karrierës së trajnerit në Ukrainën e tij të lindjes. Fillimisht si asistent i Fomenkos, pastaj si trajner i kombëtares së parë ukrainase. Rezultati më i mirë i arritur nga Shevchenko në stolin e Ukrainës ishte çerekfinalja e “Euro 2020”, performanca më e mirë ndonjëherë për kombëtaren verdheblu në kompeticionin më të lartë kontinental. Më 7 nëntor 2021, ai u bë trajneri i ri i Genoa, pozicion të cilin e la pas vetëm dy muajsh për shkak se nuk i përmbushi pritshmëritë.

sfidanti.al