Boksi shqiptar ka korrur një tjetër sukses për moshat, dhe, pasi Kristian Jubani u shpall “nënkampion” i Evropës në gusht në Kampionatin e shkollorëve dhe Nën-14-vjeçarëve, të dielën ka ardhur një tjetër arritje, këtë radhë në arenën botërore. Kështu, Adam Maca është shpallur “nënkampion bote” për grupmoshën e Nën-16-vjeçarëve.
Ai ishte pjesë e delegacionit prej 4 boksierësh të rinj që morën pjesë në Kampionatin Botëror të kësaj moshe, që po zhvillohet në Armeni dhe, në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogramë, ai është mundur me pikë përballë rusit Platon Kozlov. Më parë, gjatë rrugëtimit të tij drejt finales së madhe, ai kishte eliminuar kundërshtarë nga Afganistani dhe Bjellorusia dhe ka qenë mjaft agresiv dhe premtues edhe në duelin për medaljen e artë kundër rivalit rus, i cili sidoqoftë ka fituar me pikë. Ky është sidoqoftë një tjetër sukses për të gjithë boksin shqiptar, teksa është edhe rezultati me i lartë në këto mosha për dorezat kuqezi. Në këtë Boteror të Armenisë, Kombëtarja kuqezi e Nën-16-vjeçarëve u udhëhoq nga trajnerët Klaudio Çekini dhe Artur Koçi, me delegacionin shqiptar që kthehet kështu në Tiranë me një medalje të argjendtë.
sfidanti.al