Kur trajneri Ten Hag e mori nga Ajaksi, pati shumë kritika dhe tallje në Angli. Si mundet që një mbrojtës shtatlartë vetëm 1.75 metra të mund të luajë në qendër të repartit në kampionatin më të ashpër të botës, ku shpesh zhvillohet “lufta e yjeve” dhe ku loja në ajër është në nivelin më të lartë të mundshëm? Lisandro Martinezi u prit me skepticizëm në Angli, dhe kritikët u mburrën se e kishin parashikuar kur ai ishte dobët në dy ndeshjet e para të Mançester Junajtidit në Premier Ligë, që të dyja të humbura turpshëm. Gjithsesi, pas 4 fitoreve radhazi “muzika” ka ndryshuar. Kritikët kanë nisur të “kafshojnë gjuhën” dhe të kërkojnë falje, ndërsa argjentinasi ka ndalur Mo Salahun dhe Gabriel Zhezusin. Vërtet që Rafael Varan (1.91 metra) kap dyfishin e topave në ajër (18-9), por si përqindje suksesi ata janë njëlloj, 75 për qind, duke lënë pas Harri Megajerin.
Sfidanti.al