A mund të dënohet një volejbolliste për shtatzani? Ndodh në Itali!

Ajo quhet Lara Luli (Lugli), bën pjesë në skuadrën e Pordenones në Serinë B-1 në Itali dhe është volejbolliste. Së fundmi pati një të papritur të pakëndshme pasi mbeti shtatzanë dhe klubi vendosi të mos i jepte rrogën. Jo vetëm keq, por e kërcënoi se do ta dërgonte në gjyq për shkelje të asaj që kishte firmosur. Gjithë puna ishte se në kontratë nuk ishte parashikuar një shtatzani e mundshme. Në fund, Lara e humbi fëmijën për shkak të një aborti spontan. Vajza reagoi në Fejsbuk duke shkruar se “nuk mendoja se e gjithë kjo do të krijonte këto polemika, unë po shkruaj jo vetëm për veten time, por edhe për shumë vajza, të cilave mund t’u ndodhë një gjë e tillë”. Volejbolliste të tjera kanë reaguar, ndërsa opinioni publik po ashtu është zemëruar. Klubi i Pordenones mbrohet duke thënë se po kalon krizë financiare, ndërsa nga politika është premtuar që çështja të shkojë në parlament.

Sfidanti.al