Juventusi nuk heq dorë nga pleqtë, si ia bën Sarri për spektaklin?!

Legjendat duhen, pasi ato krijojnë lidhjen me historinë, dhe këtë kanë menduar në Torino. Disa nga lojtarët veteranë do të vazhdojnë të qendrojnë në klub, dhe njoftimi është se klubi do t’u ofrojë kontrata të reja “senatorëve” si Xhanluixhi Bufon e Xhorxho Kielini, si dhe francezit Blez Matyidi. Të treve u përfundojnë marrëveshjet e tanishme, në 30 qershor, dhe kampionët e Italisë duan të veprojnë që tani, duke u ofruar edhe nga 1 vit. Bufon është 42 vjeç dhe ka kaluar gjithë karrierën tek Juvja që nga viti 2000, me përjashtim të një sezoni tek Paris SG. Ai është rekordmeni i ndeshjeve në Serinë A, bashkë me Paolo Maldinin dhe do të mbushë 43 vjeç tek Juvja.

Kielini është 35 vjeç, tashmë kapiten, edhe pse i dëmtuar për një kohë të gjatë të këtij sezoni, në të cilin ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Ai cilësohet si një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Matyidi, kampion i botës me Francën, është 32 vjeç, ndërsa me kontratë më të gjatë është veterani tjetër, 32-vjeçari Leonardo Bonuçi. Me gjithë këta “pleq” në ekip, si do t’ia bëjë trajneri Mauricio Sarri për të luajtur futbollin e tij ofensiv, aq më shumë që Kristiano Ronaldo është 35 vjeç.

Sfidanti.al