Huliganizmi në futbollin anglez, apo e keqja që goditet nga degët!

Duhet pak guxim të jesh gazetar shqiptar dhe të kritikosh Anglinë, por ndonjëherë edhe mund t’ia dalësh pa pasur nevojë për ndonjë gotë. Shkak për reflektimin u bë dhuna e një pjese të tifozëve në Uest Hem-Çelsi, e cila tronditi rëndë jo vetëm futbollin, por krejt shoqërinë angleze.

Ishin 200 të rinj që u përleshën, e u gjakosën, duke shfaqur krejt mentalitetin me të cilin i ka rritur një shoqëri vërtet shumë moderne, por siç duket jo për të gjithë qytetarët e saj. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Londër nuk munguan të dilnin deputetë e ministra për të dënuar “rrugaçët”, ndërsa titullarja i Ministrisë së Sportit, Trejsi Krauç, paralajmëroi masa të ashpra për fajtorët dhe për klubet.

Zotërinjtë dhe zonjat e nderuara nuk u kujtuan të flisnin për kushtet në të cilat janë rritur këta qytetarë britanikë, pjesëtarë të kombit me mirëqenien më të lartë të botës prej shekujsh. Ultrasit e Uest Hamit janë banorë të lagjeve post-industriale (që do të thotë nga ku janë larguar fabrikat dhe ku njerëzit shpesh janë pa punë), dhe ku ka një dendësi të madhe të banesave sociale.

Përderisa banesat sociale ndërtohen për njerëz në vështirësi apo me jetë të dështuar, atëherë është e kuptueshme që këta njerëz nuk mund të kenë respekt për rregullat e një shoqërie jo të dhimbsur me ta.

B. Kuka