Michael Jordan është një nga fituesit e mëdhenj jashtë fushe pas triumfit të Paris Saint-Germain në finalen e UEFA Champions League, ku skuadra pariziene mposhti Arsenalin në “Puskas Arena” të Budapestit. Suksesi i PSG-së, që fitoi Championsin e dytë radhazi, pritet të sjellë një rritje të madhe të shitjeve të fanellave dhe produkteve zyrtare të klubit, duke i garantuar përfitime të konsiderueshme legjendës së basketbollit amerikan falë partneritetit me markën “Jordan Brand”.
Lidhja mes Jordanit dhe Parisit daton që nga viti 1985, kur ish-ylli i Chicago Bulls vizitoi kryeqytetin francez gjatë një turi me skuadrën e NBA-së. Ndërkohë, Nike sponsorizon PSG-në që prej vitit 1989, në një nga bashkëpunimet më jetëgjata në futbollin europian. Në vitin 2018, marrëdhënia mes palëve mori një dimension të ri me përfshirjen e “Jordan Brand”, markë e krijuar nga Nike në vitin 1984 për Michael Jordanin. Pas më shumë se tri dekadash të fokusuar vetëm në basketboll, marka vendosi të hynte edhe në botën e futbollit.
Një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim pati edhe Neymar, i cili firmosi me Jordan Brand në vitin 2016, përpara transferimit te PSG. Kur braziliani mbërriti në Paris, ai prezantoi këpucët e sponsorizuara nga marka, gjë që u prit shumë mirë nga drejtuesit e klubit. Kështu lindi marrëveshja që e bëri PSG-në klubin e vetëm në botë me logon “Jordan Brand” në fanellë.
Në vitin 2019, Nike rinovoi kontratën globale me PSG-në deri në vitin 2032, në një marrëveshje me vlerë rreth 80 milionë euro në sezon. Sipas marrëveshjes, Michael Jordan përfiton 5% komision nga të gjitha produktet e shitura me logon e famshme “Jumpman”. Këtë sezon, logoja e Jordan Brand është përdorur në fanellën e katërt dhe të pestë të PSG-së, të rezervuara zakonisht për ndeshjet më të mëdha të Ligue 1 dhe netët europiane. Fanella speciale “Back2Back”, e krijuar për të festuar dy triumfet radhazi në Champions League, është kthyer tashmë në një nga produktet më të kërkuara nga tifozët parizienë.

