Ronaldinho ka mbërritur në Itali për aventurën e tij të veçantë te Ravenna, skuadër që militon në Serinë C. Ish-ylli brazilian, fitues i “Topit të Artë” në vitin 2005 dhe kampion bote me Brazilin, është rikthyer në qendër të vëmendjes në moshën 46-vjeçare, më shumë se një dekadë pas tërheqjes nga futbolli profesionist. “Jam shumë i lumtur që jam këtu me miqtë. Kemi një skuadër për të bërë mirë. Nëse do të më shihni në fushë? Nuk e di, këtë e di trajneri”, tha Ronaldinho gjatë prezantimit të tij. Braziliani zbuloi edhe një objektiv mjaft të veçantë: të shënojë golin e 300-të të karrierës. “Nëse do të ndodhë, do të jetë edhe më bukur”, u shpreh ai me buzëqeshje.
Ronaldinho foli me nostalgji edhe për aventurën e tij në Itali me Milanin, duke veçuar golin në derbin ndaj Interit si një nga momentet më të bukura të karrierës. “Në Itali kam pasur kujtime të mrekullueshme dhe goli në derbi ishte momenti më i bukur. E ndjek gjithmonë Milanin, është një skuadër që më pëlqen shumë”, deklaroi ai. Madje, Ronaldinho hodhi idenë për një përballje miqësore mes Ravenna-s dhe Milanit: “Do të më pëlqente të organizohej një miqësore Ravenna-Milan”. Presidenti Ignazio Cipriani konfirmoi gjithashtu se Ronaldinho do të bëhet bashkëpronar i Ravenna-s, duke marrë një pjesë të aksioneve të klubit. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e së hënës ndaj Reggiana-s, ndërsa ëndrra e klubit është që braziliani të shënojë një gol në derbin e Ravenna-s.

