Botërori 2026 pritet të jetë edicioni më fitimprurës në historinë e futbollit, pasi FIFA ka vendosur të rrisë ndjeshëm fondin e përgjithshëm të shpërblimeve për kombëtaret pjesëmarrëse. Turneu që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë do të shpërndajë plot 871 milionë dollarë, një shifër rekord krahasuar me edicionet e mëparshme.
Vendimi u konfirmua pas mbledhjes së këshillit të FIFA-s në Vankuver, ku u miratua rritja e fondit nga 727 milionë dollarë në 871 milionë dollarë, pothuajse dyfishi i shumës së ndarë në Botërorin e Katarit. Çdo kombëtare e kualifikuar do të përfitojë menjëherë 10 milionë dollarë si bonus pjesëmarrjeje. Përveç kësaj, FIFA do të japë edhe 2.5 milionë dollarë shtesë për secilin ekip për përgatitjet para nisjes së turneut. Organizata botërore e futbollit ka bërë të ditur gjithashtu se 16 milionë dollarë të tjera do të shpërndahen për të mbuluar shpenzimet e delegacioneve dhe organizimin e ndeshjeve, si edhe për të përfituar nga rritja e të ardhurave nga biletat.
Natyrisht, shpërblimi më i madh i takon ekipit që do të shpallet kampion bote. Fituesi i Botërorit 2026 do të arkëtojë 50 milionë dollarë, ndërsa finalisti do të marrë 33 milionë dollarë. Kombëtarja që do ta mbyllë turneun në vendin e tretë do të përfitojë 29 milionë dollarë, ndërsa vendi i katërt do të shpërblehet me 27 milionë dollarë.
Edhe skuadrat që do të arrijnë deri në çerekfinale do të përfitojnë shuma shumë të konsiderueshme. Ekipet e renditura nga vendi i pestë deri në të tetin do të marrin nga 19 milionë dollarë secili, ndërsa kombëtaret e pozicionuara nga vendi i gjashtë deri në të njëmbëdhjetin do të shpërblehen me nga 15 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, ekipet që do të eliminohen në fazat e hershme nuk do të mbeten pa përfitime. Kombëtaret e renditura nga vendi i 17-të deri në të 32-in do të marrin nga 11 milionë dollarë secila, ndërsa ato nga vendi i 33-të deri në të 48-in do të përfitojnë nga 9 milionë dollarë.
Me zgjerimin e turneut në 48 kombëtare, FIFA synon jo vetëm të rrisë spektaklin sportiv, por edhe të shpërndajë më shumë të ardhura për federatat pjesëmarrëse në të gjithë botën.
Shpërblimet financiare të Botërorit 2026
Ekipi kampion: 50 milionë dollarë
Vendi i dytë: 33 milionë dollarë
Vendi i tretë: 29 milionë dollarë
Vendi i katërt: 27 milionë dollarë
Vendet 5-8 (çerekfinalistët): 19 milionë dollarë secili
Vendet 9-16: 15 milionë dollarë secili
Vendet 17-32: 11 milionë dollarë secili
Vendet 33-48: 9 milionë dollarë secili
Bonus pjesëmarrjeje për çdo kombëtare të kualifikuar: 10 milionë dollarë
Bonus për përgatitjet para Botërorit: 2.5 milionë dollarë për çdo ekip
Fond shtesë për organizim dhe shpenzime delegacioni: 16 milionë dollarë të shpërndara nga FIFA

