Një grua e mirë të hap dyert e parajsës, ndërsa një “ashtu-ashtu” të prish jo pak punë. Mauro Ikardi e vlerëson lart të shoqen, Uanda Narën, por duket se nuk janë të këtij mendimi njerëzit e fuqishëm të disa klubeve të rëndësishëm. Ne e dimë mirë sesi është gjykimi i drejtuesve të Interit, sidomos i Bepe Marotës dhe i trajnerit Konte, si dhe i ish-trajnerit Spaleti. Po ashtu, gazeta “Marka” prej kohësh ka treguar sesi është shprehur presidenti i Realit, Florentino Perez, dhe drejtorët e tjerë madrilenë. “Ikardi është lojtar shumë i mirë, por ne nuk e marrim dot, dhe nuk është faji i tij”. Nënkuptimi merret vesh lehtë.
Tani, është edhe presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, që ndoshta lëshon batutën më të goditur për “enturazhin” e sulmuesit argjentinas. “Ikardi nuk na hyn në punë, – tha ai, në një intervistë për Radio KisKis, – kam takuar Uandën tre vjet më parë, dhe aq më ka mjaftuar …. Nuk kam ndërmend ta takoj përsëri. Ikardin e kërkova në një moment tjetër, kur u dëmtua Milik, por u tregua i zoti Sarri që ktheu Mertensin në golshënues”. De Laurentisi pati disa fjalë edhe për Hames Rodrigezin, duke thënë se “ai është në zemrën e Napolit, por Reali po e tepron me kërkesën e tij, dhe ne nuk kemi ndërmend të dëmtojmë veten për të kënaqur Realin”.
Sfidanti.al