Ishte një trajner tepër tradicional për një lojtar aq të pangjashëm me ndonjë tjetër. Dino Xof pati fatin, por edhe vuajtjen, që të drejtonte Pol Gaskoinin tek Lacio e tij e shkëlqyer e fillimit të viteve 90-të. Klubi italian mori mesfushorin e dikurshëm të Anglisë dhe të Totenhemit, një lojtar që ishte tepër i veçantë, por që nuk e dha dot atë që kishte brenda tij.
Ish-portieri legjendar i Italisë dhe i Juventusit, e kujton sot me dhimbje atë kohë. “Isha tepër i dëshpëruar, – shprehet ai, – ai ishte një artist i madh që e humbi artin e tij. Gjithnjë i kam admiruar artistët, ata që krijonin. Më bëri të çmendesha me trillet dhe nervat e tij, ai e hodhi tej artin e tij në një mënyrë kaq të keqe”. Xofi thotë se që në atë kohë e kuptonte se Gaskoini do të kishte probleme kur të linte futbollin, aq më tepër kur e mbylli karrierën në kulmin e tij. “Zemra ime qau për të”, – thotë Xofi. Gaskoin luajti për Lacion në vitet 1992-1995, pati shkëlqime të talentit të tij, por kurrë nuk dha maksimumin dhe nuk u përshtat. Ai abuzoi me alkoolin dhe nuk pati regjim sportiv.
Sfidanti.al