Fullkrug e nis keq aventurën në Milano

Niklas Füllkrug nuk e ka nisur aspak siç e kishte imagjinuar aventurën e tij te Milani. Sulmuesi gjerman ende nuk ka lënë gjurmë në rezultatet e skuadrës kuqezi, ndërsa problemet për të duket se janë shfaqur edhe jashtë fushës së lojës.

Futbollisti është sistemuar përkohësisht në një hotel të përzgjedhur nga klubi, në pritje të gjetjes së një banese në qytet. Megjithatë, këtë mëngjes ai ka konstatuar mungesën e disa sendeve me vlerë që i kishte ruajtur në kasafortën e dhomës, me një vlerë totale rreth 500 mijë euro. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për ora dore luksoze dhe bizhuteri të tjera personale. Dyshohet se grabitja ka ndodhur të mërkurën ose të enjten, në kohën kur Füllkrug ndodhej me ekipin në transfertën ndaj Komos.

Persona ende të paidentifikuar mendohet se kanë hyrë në dhomën e hotelit dhe kanë marrë sendet me vlerë, duke përfituar nga mungesa e futbollistit.

Përfaqësues të Milanit kanë bërë denoncimin në emër të lojtarit, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.