Ia doli të fitonte 3-0 në fushën e vet ndaj Ingolshtatit, dhe shpreson që ky fillim i mirë të ketë vazhdim. Dinamo e Dresdenit e nisi me sukses sezonin e ri të Bundesligës së dytë duke kënaqur mbi 7 000 tifozët në stadium. Daferner dy herë radhazi dhe Mërshel ishin autorët e golave për vendasit, të cilët goditën dy herë edhe shtyllën me atë të Borelos dhe Hozinerit. Ishte një duel mes dy ekipeve që sapo janë ngjitur në kategorinë e dytë, dhe duket se Dresdeni është më gati. Në ndeshjet e tjera, Karlsruhe arriti një fitore të rëndësishme 3-1 në fushën e Hansës së Rostokut, Regensburgu triumfoi 2-0 në Darmshtat, ndërsa sfida Hajdenhajm-Paderborn përfundoi 0-0. Ndeshja kryesore e javës së parë ishte ajo që u luajt e para, me Hamburgun që fitoi 3-1 në fushën e Shalkes. Klaus Gjasula mbeti në stol për HSV-në, ndërsa Blendi Idrizi dhe Bleron Krasniqi, të dy me origjinë nga Kosova, hynë në fushë në pjesën e dytë për vendasit.
Sfidanti.al