Barcelona po pret që Julian Alvarez të shprehë publikisht dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madridi tani që ka përfunduar Kupa e Botës 2026, sipas raportimeve të SPORT. Sipas mediumit spanjoll, sulmuesi argjentinas kishte shmangur çdo koment për të ardhmen e tij gjatë turneut, në mënyrë që të mos krijonte shpërqendrime në kampin e Argjentinës. Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës besojnë se tani 26-vjeçari është gati të marrë një qëndrim publik, pasi është i pakënaqur me refuzimin kategorik të Atletico Madridit për të diskutuar mundësinë e një transferimi.
Raporti thekson se Alvarez ndihet i zhgënjyer pasi drejtuesit e klubit madrilen kanë deklaruar se ai nuk është në shitje në asnjë rrethanë, pavarësisht se, sipas pretendimeve, më herët i ishte premtuar se do të lejohej të largohej në fund të sezonit nëse do ta kërkonte vetë. Barcelona beson se një deklaratë publike nga reprezentuesi argjentinas mund të shtojë presionin mbi Atletico Madridin dhe të hapë rrugën për negociata mes dy klubeve.

