Claude Le Roy jep dorëheqjen nga Kongo

Claude Le Roy ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Kombëtares së Republikës së Kongos, pas humbjes 1-0 ndaj Ishujve Komore në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Afrikës 2027. Tekniku 78-vjeçar njoftoi vendimin e tij në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, duke pranuar se nuk kishte arritur të përmbushte objektivin për të cilin ishte emëruar. “Për të qetësuar situatën dhe për të bërë që gjërat të vazhdojnë në mënyrë të shëndetshme dhe të qetë, paraqes dorëheqjen time”, deklaroi Le Roy.

Trajneri francez theksoi se kualifikimi mbetet ende matematikisht i mundur, por pranoi se tashmë do të nevojitej një mrekulli për të siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të turneut. Le Roy shprehu gjithashtu pakënaqësinë për mungesën e efikasitetit në sulm, duke vënë në dukje se Kongo ka arritur të shënojë vetëm një gol në katër ndeshje, pavarësisht kushteve të favorshme që kishte pasur për t’u përgatitur. Situata në Grupin G është shumë e vështirë për përfaqësuesen kongoleze, e cila renditet në vendin e fundit me vetëm dy pikë pas katër takimesh.