Federata Ekuadoriane e Futbollit ka dënuar me tetë vite pezullim futbollistin John Michel Perlaza Salas, pasi goditi me gur në fytyrë një arbitër gjatë një ndeshjeje të kategorisë së tretë të futbollit ekuadorian. Dënimi do të jetë në fuqi deri më 19 tetor 2034. Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 tetor, gjatë përballjes mes Ciudad de Yantzaza dhe Río Aguarico, e vlefshme për javën e tretë të Grupit D në turneun Ascenso Social 2026. Në minutën e 96-të, Perlaza, i cili ndodhej në stol, hodhi një gur në drejtim të arbitrit anësor Lenin Giovanni Ojeda Núñez, duke e goditur në fytyrë. Për shkak të incidentit dhe pasojave të tij, ndeshja u ndërpre përpara përfundimit.
Sipas njoftimit të Federatës Ekuadoriane të Futbollit, arbitri pësoi dëmtime të rënda dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Komisioni Disiplinor e shpalli futbollistin përgjegjës për sulm fizik dhe vendosi pezullimin e tij nga çdo aktivitet që lidhet me futbollin për tetë vite. Për më tepër, federata bëri të ditur se do t’i kërkojë FIFA-s që ky dënim të shtrihet në nivel ndërkombëtar.
Por ndëshkimi nuk u kufizua vetëm te lojtari. Edhe klubi Ciudad de Yantzaza u penalizua për sjelljen e futbollistit dhe mosrespektimin e detyrimeve për garantimin e sigurisë gjatë ndeshjes, si skuadër pritëse.
Klubi duhet të paguajë një gjobë prej 2 mijë dollarësh, si dhe të rimbursojë 4.369 dollarë për shpenzimet mjekësore të arbitrit. Gjithashtu, Ciudad de Yantzaza nuk do të ketë të drejtë të zhvillojë tri ndeshjet e ardhshme si pritës në stadiumin komunal të Yantzazas, në provincën Zamora Chinchipe.

