Federata Egjiptiane e Futbollit ka njoftuar se FIFA ka pezulluar për tri ndeshje trajnerin e përfaqësueses, Hossam Hassan, pas deklaratave të tij pas humbjes ndaj Argjentinës në fazën e 1/8-ve të finales së Kupës së Botës.
Masat disiplinore përfshijnë edhe menaxherin e ekipit, Ibrahim Hassan, i cili është pezulluar për tri ndeshje, si dhe sulmuesin Mostafa Zico, që është dënuar me pesë ndeshje pezullim. Sanksionet lidhen me humbjen 3-2 të Egjiptit ndaj Argjentinës, më 6 korrik, në Atlanta të Shteteve të Bashkuara. Pas vendimeve të Komitetit Disiplinor të FIFA-s, federata egjiptiane ka kërkuar shpjegime të hollësishme për arsyet e ndëshkimeve, në mënyrë që të vlerësojë mundësitë ligjore dhe të përgatisë një ankesë.
Pezullimet mund t’i lënë vëllezërit Hassan jashtë ndeshjeve të ardhshme kualifikuese të Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, përballë Malavit në nëntor, si dhe të ndeshjes së parë gjatë dritares ndërkombëtare të marsit. Ndërsa Zico pritet të qëndrojë jashtë fushës deri në qershor. Egjipti u eliminua nga turneu pasi lëshoi epërsinë 2-0 në një ndeshje të tensionuar, që përfundoi me përmbysjen e rezultatit nga Argjentina në minutat e fundit.
“Faraonët” kundërshtuan disa vendime të arbitrimit, përfshirë anulimin e një goli në fillim të pjesës së dytë. Tensionet u rritën edhe më shumë kur një anëtar i stafit teknik egjiptian u ndëshkua me karton të kuq, pas golit të fitores së Argjentinës.

