Rodri magjeps Barcelonën

Barcelona nuk kishte planifikuar të përforconte mesfushën gjatë merkatos së verës, pasi Hansi Flick besonte se kishte mjaftueshëm alternativa cilësore në këtë repart. Megjithatë, kur u krijua mundësia për të transferuar Rodrin, drejtuesit katalanas nuk hezituan.

Cilësitë e tij të padiskutueshme ishin arsyeja kryesore, por jo e vetmja. Barcelona kishte nevojë edhe për një lider të vërtetë, veçanërisht me synimin për të fituar Champions League. Dhe pas paraqitjes së tij ndaj Valencias, duket se katalanasit kanë bërë zgjedhjen e duhur.

Ndeshja në “Mestalla” ishte e para ku Rodri u aktivizua si titullar me Barcelonën dhe mesfushori spanjoll shkëlqeu. Në fitoren 5-0, ai tregoi një repertor të jashtëzakonshëm, duke qenë praktikisht kudo në fushë.
Rodri e nisi nga pozicioni i mesfushorit mbrojtës dhe organizoi lojën, por në momente të ndryshme u shndërrua edhe në një mbrojtës shtesë, duke ndihmuar skuadrën të neutralizonte sulmet e Valencias. Në raste të tjera avancoi si mesfushor ofensiv, duke iu afruar zonës kundërshtare.

Spanjolli tregoi gjithashtu forcën e tij në fazën mbrojtëse, duke rikuperuar topin në aksionin që solli golin e katërt të Barcelonës. Madje, në një moment u shfaq edhe në krah, duke depërtuar deri në vijën fundore për të dhënë pasim në zonë.

Paraqitja e tij impresionoi edhe Flick-un.

“Gjithçka që bën Rodri ka kuptim. Është emocionuese. Jo vetëm në fushë, por edhe në dhomën e zhveshjes. Është një lider i vërtetë”, deklaroi trajneri gjerman.

Rodri duket se nuk ka fituar vetëm një vend në formacionin e Barcelonës, por edhe respektin e shokëve të skuadrës. Një lider i tillë mund të jetë një nga çelësat e sezonit për katalanasit.