Jamie Vardy te Burnley, rival i ri për Armando Brojën

Burnley ka bërë një lëvizje të bujshme pas mbylljes së merkatos, duke afruar një prej emrave më të njohur të futbollit anglez. Klubi anglez ka siguruar shërbimet e Jamie Vardy-t, i cili transferohet si futbollist i lirë dhe tashmë do të jetë shok skuadre me Armando Brojën.

Sulmuesi 38-vjeçar pritet të jetë një rival i drejtpërdrejtë për Brojën në garën për një vend në formacionin titullar, duke rritur ndjeshëm konkurrencën në repartin ofensiv të Burnley-t.

Vardy ka lënë gjurmë të mëdha në futbollin anglez, veçanërisht gjatë periudhës së tij te Leicester City. Me fanellën e “Foxes”, ai realizoi 200 gola dhe u shndërrua në një prej ikonave të klubit. Në nivel kombëtar, sulmuesi anglez numëron gjithashtu 7 gola në 26 paraqitje me Anglinë.

Pas përfundimit të eksperiencës në Itali me Cremonese, Vardy mbeti pa kontratë. Sezonin e kaluar ai shënoi 7 gola në Serie A, por nuk arriti ta ndihmonte skuadrën italiane të shmangte rënien nga elita.

Tashmë, aventura e re e sulmuesit anglez do të jetë në Premier League me Burnley-n, ku ai pritet të konkurrojë drejtpërdrejt me Brojën për minutat e lojës.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu te Burnley. Ky klub ka histori dhe tifozë të zjarrtë”, deklaroi Vardy, duke shtuar se mezi pret të zbresë në fushë dhe të ndihmojë skuadrën.

Afrimi i tij vjen në një moment delikat për Armando Brojën, pas humbjes së fundit në shtëpi ndaj Bristol City-t. Sulmuesi shqiptar u përfshi gjithashtu në një incident me një tifoz pas përfundimit të takimit.

Me ardhjen e Vardy-t, Brojës i shtohet një rival me eksperiencë dhe emër të madh, duke e bërë edhe më të fortë konkurrencën për një vend në sulmin e Burnley-t.