Michael Olise, akuzohet se nuk ka takuar vajzën e tij 20-muajshe

Ylli i Bayern Munich dhe i kombëtares së Francës, Michael Olise, është përfshirë në një polemikë të fortë jashtë fushës, pasi nëna e vajzës së tij e ka akuzuar publikisht se nuk e ka takuar kurrë fëmijën e tyre 20-muajsh.

Sipas pretendimeve të publikuara nga Daily Mail, ish-partnerja e futbollistit e ka cilësuar Olise si “zemërgur” dhe pretendon se ai nuk ka pasur kontakt me vajzën që prej lindjes së saj. Ajo gjithashtu ka deklaruar se futbollisti nuk ka dhënë mbështetje financiare për rritjen e fëmijës. Sipas saj, marrëdhënia dyvjeçare mes tyre përfundoi edhe për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e Olise, ndërsa ajo ka përmendur edhe kohën e tepërt që ai kalonte duke luajtur PlayStation.

Olise, i cili është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Francës dhe Bayern Munich, nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave. Deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga përfaqësuesit e tij lidhur me pretendimet. Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa futbollisti 24-vjeçar, i njohur për profilin e tij të rezervuar dhe jetën private larg vëmendjes së mediave, tashmë ndodhet në qendër të një debati të fortë jashtë fushës.