Fabio Quartararo do të largohet nga Yamaha në fund të sezonit dhe nga viti 2027 do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u bashkuar me ekipin zyrtar Honda HRC. Piloti francez, kampion bote në MotoGP në vitin 2021, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Honda-n, e vlefshme për sezonet 2027 dhe 2028. Kalimi përkon edhe me nisjen e një epoke të re në MotoGP, me motorët 850 cc.
Quartararo i bashkohet kështu një projekti ambicioz të Honda-s, e cila synon të rikthehet në majat e MotoGP-së. Francezi do të largohet nga Yamaha pas tetë sezonesh, periudhë gjatë së cilës ka regjistruar 11 fitore, 32 podiume dhe 21 pole position në klasën mbretërore.
Në vitin 2021, Quartararo shkroi historinë duke u shpallur kampion bote në MotoGP, ndërsa një vit më pas e mbylli sezonin në vendin e dytë. Honda ka konfirmuar gjithashtu afrimin e talentit kolumbian David Alonso, duke ndërtuar një projekt të ri për të ardhmen. Tashmë, me Quartararo si një nga figurat kryesore, marka japoneze shpreson të rikthehet në luftën për titull në epokën e re të MotoGP-së.

