Rudi Garcia nuk do të jetë më trajner i Kombëtares së Belgjikës. Tekniku francez i jep fund aventurës së tij pas më shumë se një viti e gjysmë në krye të “Djajve të Kuq”, pasi Federata Belge ka vendosur të mos i rinovojë kontratën.
Garcia e drejtoi Belgjikën deri në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, ku u eliminua nga Spanja, skuadër që më pas u shpall kampione e botës. Gjatë turneut, Belgjika ishte ekipi i vetëm që arriti t’i shënonte gol Spanjës, një statistikë që e veçon paraqitjen e saj në Botëror. Megjithatë, ky sukses nuk mjaftoi që trajneri 62-vjeçar të vazhdonte në detyrë.
Kur Garcia mori drejtimin e përfaqësueses, Belgjika po kalonte një periudhë të vështirë, ndaj largimi i tij vjen pas një pune që konsiderohet pozitive në përgjithësi. Sipas gazetës belge HNB dhe medieve të tjera vendase, emri që kryeson listën e Federatës Belge për ta zëvendësuar është Mark van Bommel. Ish-mesfushori i njohur holandez ishte një kandidat edhe herën e kaluar, pas shkarkimit të Domenico Tedescos, por në atë kohë federata zgjodhi Garcian.
Van Bommel është pa skuadër që prej largimit nga Antwerp në vitin 2024. Gjatë periudhës së tij në krye të klubit belg, ai fitoi titullin kampion dhe dy trofe të Kupës së Belgjikës. Edhe pse është lidhur me disa klube në Belgjikë dhe kampionate të tjera, ai nuk ka pranuar ende një detyrë të re.
Përpara suksesit me Antwerp-in, Van Bommel kishte drejtuar edhe PSV Eindhoven-in dhe Wolfsburg-un. Karriera e tij si trajner është karakterizuar nga nisje shumë të mira të sezoneve, të ndjekura shpesh nga rënie të ndjeshme të rezultateve. Edhe tek Antwerp-i skuadra pati një moment të vështirë, por në fund reagoi dhe fitoi titullin e kampionatit belg në mënyrë dramatike, në javën e fundit ndaj Genk-ut.

