Schalke 04 ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me portierin Loris Karius, i cili do të qëndrojë pjesë e klubit deri në vitin 2028. Vendimi vjen pas një sezoni shumë të suksesshëm për ‘gardianin’, i cili ka rigjetur formën e tij më të mirë dhe është kthyer në një nga figurat kyçe të skuadrës.
Klubi gjerman e bëri të ditur marrëveshjen përmes një videoje simbolike në rrjetin social X, ku Karius shkruante “2028”, duke konfirmuar zgjatjen e kontratës. Drejtuesit e Schalke 04 e kanë cilësuar këtë rinovim si pjesë të rëndësishme të projektit për stabilitetin e skuadrës në elitën e futbollit gjerman.

