Një nga historitë më të pabesueshme të futbollit modern merr një kthesë dramatike. Leicester City është zyrtarisht i rënë nga EFL Championship në EFL League One, vetëm një dekadë pasi kishte fituar në mënyrë sensacionale titullin në Premier League. “Dhelprat”, të udhëhequra nga kapiteni Ricardo Pereira, kishin nevojë për fitore ndaj Hull City-t për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës, por barazimi 2-2 në “King Power Stadium” vulosi rënien e tyre. Skuadra e drejtuar nga Gary Rowett e nisi keq ndeshjen, duke pësuar që në minutën e 18-të pas një gabimi të portierit Asmir Begović. Megjithatë, Leicester reagoi shpejt dhe realizoi një përmbysje të përkohshme. Jordan James barazoi nga penalltia në minutën e 52-të, ndërsa Luke Thomas përmbysi rezultatin vetëm dy minuta më vonë. Gëzimi zgjati pak, pasi në minutën e 63-të Oliver McBurnie barazoi për Hull-in, duke heshtur stadiumin.
Në sekondat e fundit, Leicester ishte shumë pranë një tjetër përmbysjeje që do t’i jepte shpresë, por portieri kundërshtar realizoi një pritje vendimtare në minutën 90+7’. Pas vërshëllimës finale, zhgënjimi ishte i madh, me lojtarë dhe tifozë që nuk i mbajtën lotët. Në ndeshjet e tjera, Coventry City, i drejtuar nga Frank Lampard, siguroi titullin kampion pas fitores 5-1 ndaj Portsmouth. Ndërkohë, Swansea City fitoi 2-1 ndaj Queens Park Rangers, ndërsa Wrexham u ngjit në vendin e gjashtë, që siguron play-off-in për promovim. Rënia e Leicester-it mbetet një nga historitë më të dhimbshme të futbollit anglez, duke kaluar nga lavdia absolute në një krizë të thellë brenda pak vitesh.
sfidanti.al

