Interi ka nisur seriozisht planifikimin për të ardhmen e portës dhe sytë janë kthyer larg Zvicrës, deri në Argjentinë. Ne kontratën e Yann Sommer që po shkon drejt përfundimit, drejtuesit zikaltër po vlerësojnë alternativa me përvojë dhe profil të lartë, duke e vendosur Emiliano “Dibu” Martinez në krye të listës për verën e vitit 2026. Portieri 33-vjeçar, kampion bote me Argjentinën dhe një nga emrat më të spikatur në arenën ndërkombëtare, konsiderohet si profili ideal për të garantuar siguri dhe lidership mes shtyllave. Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio, të martën më 20 janar është zhvilluar një takim i drejtpërdrejtë mes disa drejtuesve të Interit dhe vëllait njëkohësisht agjentit të Martinez, një sinjal i qartë se interesimi nuk është më thjesht teorik.
Ky takim konfirmon se Interi po eksploron konkretisht mundësinë e afrimit të një portieri me përvojë të madhe ndërkombëtare. Në tavolinë është edhe aspekti financiar: klubi zikaltër thuhet se është i gatshëm të ofrojë një pagë që mund të arrijë deri në 4 milionë euro në vit, plus bonuse të lidhura me performancën dhe objektivat sportive. Kalimi nga Sommer te Dibu Martinez do të përfaqësonte jo vetëm një ndryshim teknik, por edhe një mesazh ambicioz për të ardhmen e Interit, i cili synon të mbetet konkurrues si në Serie A ashtu edhe në arenën europiane. Ende nuk ka asgjë të mbyllur, por lëvizjet e fundit tregojnë se porta zikaltër mund të ketë një “roje” të re me ADN fituese.
Sfidanti.al

