Drita dhe Shkëndija e Tetovës, dy skuadrat shqiptare që vazhdojnë ende aventurën e tyre në kompeticionet europiane, kanë mësuar sot kundërshtarët e Play-off-it në Conference League. Shorti është hedhur në Nyon të Zvicrës dhe ishte me më shumë fat për kampionët e Kosovës.
Drita do të ndeshet me sllovenët e Celje. Skuadra kosovare e mbylli në vend të 20-të, me 8 pikë, kurse sllovenët u renditën në vend të 13-të. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 19 shkurt, kurse ajo e kthimit një javë më pas, më 26 shkurt.
Shkëndija e Tetovës do të ndeshet në Play-off të UEFA Conference League me Samsunspor. Tetovarët do ta zhvillojnë ndeshjen e parë në Shkup, më 19 shkurt. Sfida e kthimit luhet në Turqi, më 26 shkurt.
Edhe pse nuk nisen si favorite, dy skuadrat shqiptare synojnë të shkruajnë historinë me një tjetër hap të rëndësishëm në Conference League.

