Domgjoni transferohet te Hapoel Jerusalem

Pas ndarjes me Partizanin disa javë më parë, David Domgjoni ka vendosur të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike. Mbrojtësi kosovar është prezantuar sot zyrtarisht si lojtari më i ri i Hapoel Jerusalem, klub që garon në elitën e futbollit izraelit. Domgjoni ka firmosur një kontratë dyvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ky transferim përfaqëson më shumë se një lëvizje të zakonshme: bëhet fjalë për një rikthim të vonuar, pasi klubi izraelit kishte shfaqur interes për të që katër vite më parë. Në atë kohë, megjithatë, ai zgjodhi të pranonte ofertën nga Luzerni në Zvicër, duke shtyrë për më vonë bashkëpunimin me Hapoel Jerusalem.

“I kam ndjekur prej kohësh, që kur dëgjova për ta për herë të parë. Jam shumë i lumtur që më në fund jam pjesë e këtij klubi special, që ka një lidhje të veçantë me tifozët. Do të jap gjithçka për të ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave,” – u shpreh Domgjoni pas prezantimit zyrtar. Hapoel Jerusalem nuk është një klub si gjithë të tjerët. Ai është pronë e vetë tifozëve, të cilët e themeluan më 2007 si një formë proteste ndaj administrimit të vjetër. Klubi origjinal u shpërbë më 2019, ndërsa pasuesi i krijuar nga tifozët bleu emrin zyrtar më 2020 dhe ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, duke u ngjitur deri në elitën e futbollit izraelit. Tani, me Domgjonin në radhët e veta, Hapoel synon të rrisë ambiciet.

 

 

sfidanti.al