Varane nuk ia del të fitojë mbi dëmtimet, tërhiqet

Raphael Varane është dorëzuar. Në moshën 31-vjeçare, për shkak të problemeve të përsëritura fizike, mbrojtësi francez i tha lamtumirë të luajturit futboll. Ai kishte nënshkruar verën e kaluar si lojtar i lirë për Como, skuadrën e drejtuar nga Fabregas, por situata e tij fizike e pengoi të përfshihej në listën për Serie A. Nga këtu erdhi vendimi, i cili ishte konsideruar prej disa kohësh, për të mos luajtur më. Varane ishte një nga mbrojtësit më të fortë të dekadës së fundit dhe lista e tij e arritjeve është mbresëlënëse: një Botëror dhe një Ligë Kombesh me Francën, mes Real Madrid dhe Manchester United ai fitoi La Liga 3 herë, me po aq Super kupa spanjolle dhe europiane, një Kupë Mbreti, 4 Champions League dhe 4 Kupa të Botës për Klube, një FA Cup dhe një League Cup në Angli.

Njoftimi zyrtar vjen nga Como, që publikoi një letër të lojtarit: “Thonë se të gjithë gjërat e mira duhet të mbarojnë. Në karrierën time jam përballur me shumë sfida, jam ngjitur në majë në çdo rast, pothuajse çdo gjë duhej të ishte e pamundur. Emocione të pabesueshme, momente të veçanta dhe kujtime që do të zgjasin një jetë. Duke reflektuar mbi këto momente, me krenari të pamasë dhe një ndjenjë përmbushjeje unë njoftoj tërheqjen time nga loja që të gjithë e duam. I përmbahem standardeve më të larta, dua të dal i fortë, jo vetëm të kapem pas lojës. Duhet shumë guxim për të dëgjuar zemrën dhe instinktet tënd. Dëshira dhe nevojat janë dy gjëra të ndryshme. Kam rënë dhe ngritur një mijë herë, dhe këtë herë është koha të ndalem dhe të var këpucët në gozhdë me ndeshjen time të fundit duke fituar një trofe në Wembley.

Më pëlqeu të luftoja për veten, klubet e mi, vendin tim, shokët e skuadrës dhe tifozët e çdo skuadre për të cilën kam luajtur. Nga Lens në Madrid në Mançester dhe të luaja për ekipin tonë kombëtar. Kam mbrojtur çdo simbol me gjithë zemër dhe e kam dashur çdo minutë të udhëtimit tim. Të luash në nivelin më të lartë është një përvojë emocionuese. Teston çdo nivel të trupit dhe mendjes tënde. Emocionet që ndjejmë nuk i gjeni askund tjetër. Si sportistë, asnjëherë nuk jemi të kënaqur, asnjëherë nuk e pranojmë suksesin. Është natyra jonë dhe ajo që na ushqen.

Nuk jam penduar, nuk do të ndryshoja asgjë. Kam fituar më shumë seç mund të kisha ëndërruar ndonjëherë, por përtej vlerësimeve dhe trofeve, jam krenar për faktin se, sido që të jetë, kam ruajtur parimet e mia të sinqeritetit dhe jam përpjekur të largohem nga çdo vend më mirë se sa e kam gjetur. Shpresoj se ju kam bërë të gjithëve krenarë. Dhe kështu, një jetë e re fillon jashtë fushës. Unë do të qëndroj te Como. Vetëm pa përdorur këpucët dhe palestrinat. Për momentin, mbështetësve të çdo klubi për të cilin kam luajtur, shokëve të skuadrës, trajnerëve dhe stafit… nga thellësia e zemrës sime, ju falënderoj që e keni bërë këtë rrugëtim më të veçantë nga sa mund të kishin parashikuar ëndrrat e mia më të çmendura”.

 

sfidanti.al