Të bezdisur nga kampionati që sajuan vetë, Federata e heq qafe për punë ditësh

Në kohën e ditëve të çmendura të bojkotit të aktiviteteve, një nga anëtarët me aktivë të Ligës së sapoformuar ka kërkuar të qetësojë situatën, duke thënë se mjafton të luhet një dy muaj futboll, sa për të caktuar skuadrat e Europës dhe verdiktet e tjera dhe jemi në rregull. Atëherë tingëlloi pak si lajthitje, por në fakt ishte thjesht një përkufizim, madje shumë i saktë. Futbolli në Shqipëri është një lloj malli fals, ku gjërat më pak të rëndësishme janë gara, njerëzit e fushës dhe të shkallëve, si dhe surpriza e rezultateve. Ndërsa verdiktet mund të përcaktohen edhe pa u përpjekur shumë, mjafton të kesh fituar të drejtën për të future emrin në listën preferenciale të FSHF-së, ose në të kundërt je i mallkuar për të qenë në listën e zezë. Asnjë nuk ka dëgjuar më asgjë për Ligën e famshme që e kishim çdo ditë në televizor, madje qoftë një reagim formal për arbitrat, apo për kalendarin që po u masakron futbollistët. Edhe për të, ky është një kampionat për t’u hequr qafe, madje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ndërsa për shpejtësinë dhe për ta larguar sa më shumë nga vëndja e publikut menduan mjeshtrat e së keqes, të sistemuar në zyrat e ish-klubit Dinamo. Katër javët e mbetura të kategorisë Superiore do të luhen me shpejtësinë e zërit të tyre, si të ishte një kampionat amator kalçetoje. Java e derbit do të përfundojë të enjten, tjetra do të luhet ditën e hënë, e parafundit të premten dhe ky aktivitet qesharak do ta ulë siparin të mërkurën… kaq ishte.

Pra e filluan me një tip bojkoti të paprecedent për asnjë vend tjetër të kontinentit, duke sajuar më pas një kalendar sfilitës për futbollistët. Modifikuan kupën e Shqipërisë me një të rënë të lapsit, megjithëse është kompeticioni numër 2 për nga rëndësia dhe është krijuar në respekt të emrit të Republikës. Më pas e ndërprenë edhe një herë kampionatin pasi ju prish koha dhe u mbeti topi në dorë dhe në fund e mbyllën me modelin “modern”, që ky lloj sporti në Shqipëri vlen vetëm dy muaj. Ndërsa në ditët e qershorit, meqë donin të ishin të lirë për Europianin, do të merren me Asamblenë, ku kanë menduar të shpikin mbi 20 shoqata për t’i pajisur me mandate për zgjedhjet e ardhshme.