Murinjo: Anglia mund të shkojë larg, çfarë personaliteti Filips!

Trajneri portugez nuk është edhe aq “dorëlëshuar” kur vjen puna tek lavdërimet, pra kur ai të thotë fjalën e mirë do të thotë se me të vërtetë e meriton. Korit të mediave angleze për kombëtaren e Garet Sauthgejtit, iu bashkua edhe Zhoze Murinjo që e vlerësoi lart ekipin e “tre luanëve”. Edhe pse fitorja në debutim në Euro 2020 ndaj Kroacisë ishte vetëm 1-0, dhe u arrit në “Uembli”, sërish tekniku i ri i Romës theksoi se Anglia e kishte bindur. “Anglia më duket se është gati për të arritur lavdinë këtë verë, – tha Mou, – rezultati ishte më shumë se i merituar”.

“Anglezët patën gjithçka nën kontroll, – vazhdoi ai, – dhe kjo do të thotë shumë, sidomos në ndeshjen e parë, kur njerëzit shikojnë më shumë rezultatet e kaluara në Europianë dhe Botërorë. Mendoj se ishte (një paraqitje) shumë pozitive. Ata e dinin se çfarë po bënin, edhe pas rezultatit 1-0 ishin të qetë dhe kontrolluan gjithçka, nuk pati aventurë. Pragmatistë, objektivë. Fitorja i jep më shumë besim skuadrës, ndërsa dua të vlerësoj personalitetin e Kalvin Filipsit, ishte i mrekullueshëm. Ai luftoi sy më sy me Modriçin dhe Kovaçiçin. Ai nuk gaboi asnjë pasim në zona të rrezikshme”.

Sfidanti.al