Viti 2016, Ronaldo mund Mesin edhe në kampionatin e parave!

Kristiano Ronaldo ka dëgjuar disa herë vërshëllima në 2017, madje nga vetë tifozët e tij të Realit, ndaj ylli portugez më shumë pëlqen të kthehet prapa në vitin e kaluar. Një ndjenjë të madhe kënaqësie (ndonëse ai e dinte) ia ka dhënë, me siguri, lista e fitimeve të sportistëve për 2016-ën përpiluar nga revista amerikane “Forbs” (Forbes), ku CR7 është i pari. Ky është një kurorëzim i 12 muajve që i dhanë Championsin, Kampionatin Europian, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për Klubet, si dhe Topin e Artë të Frans Futbollit dhe çmimin e FIFA-s si Lojtari më i mirë për vitin e shkuar.

Të ardhurat e Ronaldos, ku përfshihen vetëm rroga që merr nga Reali dhe fitimet nga kontratat e sponsorizimit (jo të ardhurat nga bizneset e veta), arrijnë në 88 milionë dollarë (82 milionë euro). Në vend të dytë ka dalë rivali më i madh i tij, Lionel Mesi, që arriti në 81 milionë dollarë ose 75 milionë euro, ndërsa në vend të tretë doli ylli i basketbollit amerikan, Lebron Xhejms, me 77 milionë dollarë (72 milionë euro). Pesëshja e parë plotësohet me legjendën e tenisit, Rozher Federer dhe yllin tjetër të NBA-së, Kevin Durant.

Është hera e dytë që një sportist i një sporti skuadre e fiton këtë renditje që kur kjo filloi në vitin 1990. Përpara Ronaldos, ia kishte dalë superylli i Çikago Bullsit, Majkëll Xhordan, ndërsa të gjithë të tjerët kishin qenë yje të sporteve individualë si Formula 1, tenis apo golf.