Verstapeni e Leklerku duhet ta dëgjojnë, Hamiltoni shpesh ndihet i pamotivuar!

Në një intervistë para pak kohës, kur ishte ende trajner i Shqipërisë, Xhani De Biazi, theksoi: “Kush nuk ka dyshime, nuk ka mendime”! Kjo, si përgjigje e një pyetjeje nëse dyshonte ndonjëherë se kishte bërë zgjedhje të gabuara, lidhur me lojtarët apo taktikat për ndeshje të caktuara. Kjo vlen edhe në rastin e Ljuis Hamiltonit, 6 herë kampionit të botës në Formula 1, i cili është shprehur së fundmi se “shpesh ndihem i pamotivuar dhe mendoj nëse ia vlen që të vazhdoj të pilotoj”.

Kjo duket diçka normale për një njeri që ka fituar kaq shumë, dhe që është 35 vjeç, por ndoshta këto fjalë dobësie të anglezit mund të jenë “muzikë për veshët” e rivalëve të tij si Verstapen i Red Bullit apo Sharl Lëklerku i Ferrarit, që synojnë titullin e parë në histori. Gjithsesi, Hamiltoni siguron se këto momente dobësie nuk zgjasin shumë. “Pas një ore, kjo më kalon dhe unë them se jam i bindur për të vazhduar karrierën, dhe se e dashuroj profesionin që kam”, – thotë kampioni i botës. Anglezi ka mundësi këtë vit që të barazojë rekordin e Mikael Shumaherit me 7 tituj botërorë në Formula 1.

Sfidanti.al