Vdes Gerd Shtrak, ylli që shpëtoi Gjermaninë ndaj Shqipërisë në 1983!

Futbolli gjerman është në zi, për humbjen e një figure ndoshta jo legjendare, por serioze. Gerhard “Gerd” Shtrak u shuan në moshën 65-vjeçare nga një sëmundje zemre. Ish-mbrojtësi i Këlnit fitoi titullin në Bundesligë në 1978, si dhe tri herë Kupën e Gjermanisë (1977, 1978, 1983), ndërsa pati 10 ndeshje me kombëtaren, ku shënoi 1 gol, pikërisht atë ndaj Shqipërisë në stadiumin “Ludvigpark” të Zarbrykenit.

Ishte ndeshja vendimtare, dhe vendasit ishin në prag të eleminimit. Kampionët e Europës në fuqi dhe nënkampionët e botës, futbollistët e Gjermanisë Perëndimore (RFGJ) po barazonin 1-1 ndaj Shqipërisë së vogël në stadiumin e Zarbrykenit, dhe ky rezultat do të thoshte që në finalet e Europianit 1984 në Francë do të shkonte Irlanda e Veriut. Data 20 nëntor 1983, minuta e 80-të, ndërsa më parë kishin shënuar Genc Tomori për shqiptarët dhe Karl-Hajnc Rumenige për gjermanët. Gerhard Shtrak, i njohur shkurt si Gerd, u ngrit me kokë mbi mbrojtjen mike, dhe e dërgoi topin në cepin e portës së mbrojtur nga Perlat Musta. Në Shqipëri, në atë kohë, u tha se Musta e la vetë golin sepse nuk deshi t’i prishte punë gjermanëve, ndonëse mënyra sesi u ekzekutua rrjeta të bën të besosh se nuk pati mundësi të reagonte.

Gjermania: Shumaher, Bernd Fërster, Shtrak, Karl-Hajnc Fërster, Brigel (Oten 34’), Dremler, Mateus, Majer, Litbarski (Vas 67’), Fëler, Rumenige. Trajner: Jup Derval.

Shqipëria: Musta, Petro Ruci, Hametaj, Eksarko, Omuri, Rragami, Vukatana (Lika 83’), Haxhi Ballgjini, Lame, Minga, Tomori. Trajner: Shyqyri Rreli.

Sfidanti.al