Uashingtoni nuk lejon që Bostoni të shkojë në finalen e Lindjes

Tri prej skuadrave prisnin të katërtën, Bostonin, por rekordmenët e titujve nuk ia dolën. Formati i plotë i finaleve të Konferencave në NBA duhet të presë për t’u formuar plotësisht, pasi Uashingtoni nuk pranoi sërish që të ishte jashtë. Fitorja në ndeshjen e gjashtë gjysmëfinale ndaj Sëlltiksave ishte dramatike, 92-91, duke barazuar rezultatin e takimeve 3-3. Heroi ishte Xhon Uoll që shënoi koshin vendimtar kur kishin mbetur edhe 3.5 sekonda.

Uoll është cilësuar si lojtari më i mirë i Uashingtonit në këtë edicion të plej ofit, ndërsa e mbylli ndeshjen në fushën e vet me 26 pikë dhe me 8 asistë. Bredli Bill ishte shënuesi më i mirë i vendasve me 33 pikë, ndërsa mbështetje e fortë e tyre ishin Morris (16 pikë, 11 topa në tabela) dhe Gortat (13 tabela).

Bostoni kryesoi 87-82 deri dy minuta përpara fundit, por nuk ia doli të kualifikohej. Tomas dhe Bredli shënuan nga 27 pikë, ndihmuar nga 20 pikët e Horfordit, apo nga Xho Krouder që iu afrua një tripëll dabëlli (10 pikë, 7 topa në tabela, 8 asistë). Bredli ishte i shkathët duke i vjedhur edhe 4 topa lojtarëve të Uashingtonit, por e gjitha kjo nuk mjaftoi. Gjithsesi, Bostoni duket i qetë pasi i ka fituar të gjitha ndeshjet në fushën e vet në këtë seri të plej ofit. Në finalen e Lindjes pret Klivlendi, ndërsa finalja e Perëndimit është dueli i madh Golden Stejt-San Antonio.

Sfidanti.al