Totenhemi fiton, por Murinjo thotë se skuadra është një “fjalëkryq”!

Ishte një e diel e mrekullueshme për banorët e Londrës së Veriut, sidomos pë rata që janë përkrahës të Spërsave. Skuadra e tyre, Totenhemi, i dha fund një jave të vështirë me një fitore të madhe jashtë fushe. Disfata në “Uajt Hart Lejn” ndaj Evertonit dhe fitorja e vuajtur në Ligën e Europës në Bullgar, u pasuan nga suksesi 5-2 në fushën e Sauthemptonit, padyshim jo më e lehta nga fitoret. Koreanojugori Son shënoi 4 gola, Tangui Ndombele pati një moment magjik, dhe Harri Kejn shtoi një rrjetë tjetër, por pas ndeshjes trajneri Zhoze Murinjo u përball me pyetje për lënien jashtë ekipit të Dele Alit.

“Gjithçka që dua është një skuadër e balancuar, – tha Murinjo, – jo, ai (Dele Ali) nuk është e nevojshme që të sakrifikohet, por skuadra deri tani është një fjalëkryq. Përsa i përket faktit nëse ai do të largohet apo jo, mund t’iu them se nuk jam unë përgjegjësi për transferimet, pra nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Mund t’iu them vetëm se u detyrova të lija 8 lojtarë në shtëpi, lojtarë që janë stërvitur shumë mirë, por problemi është se ne kemi një grup shumë të madh”. Duket se Totenhemi ka reaguar me moral të lartë pas afrimit të Garet Bejlit nga Reali, ndërsa trajneri mund të jetë i detyruar të sakrifikojë pikërisht Dele Alin që mund të shkojë tek Paris SG.

Sfidanti.al