“Tërmeti i dytë” në Zagreb, “luftë civile” tek superfuqia Dinamo!

Në Kroaci janë të dëshpëruar, por edhe thonë se e prisnin. Gazetat e kryeqytetit, si “Jutarnji Listi” e “Veçernji Listi”, shprehen se Dinamo e Zagrebit bëri një veprim siç ka bërë gjithnjë, “më kokë të vet”, duke vendosur të përjashtojë të gjithë lojtarët. “Heronjtë e kohëve të fundit, u varën nëpër shtylla”, shkruan “Jutarnji”, ndërsa drejtuesit e klubit u përplasën me futbollistët për shkak të rrogave. Ata i propozuan ulje drastike të rrogave (shkruhet deri në 66 për qind), lojtarët nuk pranuan, dhe klubi vendosi t’i përjashtonte. Tani pritet që futbollistët të nisin gjyqet dhe të kërkojnë dëmshpërblim.

“Jutarnji” sqaron se një drejtues i Federatës Kroate e këshilloi Dinamon që të mos nxitohej, pasi FIFA dhe UEFA do të merrnin masa, do të hiqeshin përkohësisht rregullat e Lojës së Ndershme Financiare (Fair Play), por tek Dinamo “nuk dëgjuan nga ai vesh”. Pas kësaj që ndodhi, ish-trajneri i Kroacisë, Tomislav Bllazheviç, i mbiquajtur në Kroaci “trajneri i të gjithë trajnerëve”, reagoi dhe u shpreh se “veprimi i Dinamos është i pamendueshëm, jam i tronditur, veprime të pakonceptueshme”. Gjithsesi, disa nga legjendat e dikurshme të “Maksimirit” akuzuan lojtarët se nuk deshën të solidarizohen me vuajtjet e kombit të tyre.

Sfidanti.al