“Sport Ekspres” nga Rusia: UEFA shtyn Euro 2020 për vitin tjetër!

Gazeta më e madhe ruse nuk ka dyshim se çfarë do të ndodhë me Kampionatin Europian të futbollit. Në një artikull të shkruar nga Dmitri Zelenov, e përditshmja moskovite, “Sport Ekspres” lajmëron se UEFA e ka vendosur tashmë shtyrjen e Euro 2020-ën për verën e ardhshme. Gazeta ruse e quan të pamundur që UEFA të shtyjë Europianin për në dhjetor, pasi kjo do të dëmtonte sezonin e ardhshëm, pra ligat e futbollit që do të fillonin në gusht apo në shtator.

Ndërkaq, pronari i Spartakut të Moskës, Leonid Fedun, lëshon alarmin dhe propozon që Premier Liga e Rusisë të ndërpritet menjëherë, dhe të anulohet, pa diskutuar nëse titulli i duhet dhënë Zenitit apo jo. “Problemi me koronavirusin do të vazhdojë deri në fund të vitit, – u shpreh Feduni, – ndaj nuk ka kuptim të vazhdojmë kampionatin. Shqetësim i madh është fati i klubeve ruse, pasi humbjet financiare do të jenë të mëdha”.

Sfidanti.al