Skënderbeu fiton në Shkodër dhe afrohet me Europën, “zhytet” Vllaznia!

Nuk është se kishte kush besim tek ai, por vendi i tretë është vetëm tri pikë larg. Skënderbeu vazhdon të habisë në Superligën shqiptare, dhe fitorja në fushën e Vllaznisë bëri që të jetë tani fare pranë me zonën e Ligës së Europës.  Tri pikët për ekipin e trajnerit Ilir Daja ishin të merituara, sepse luajti më mirë sesa vendasit, edhe pse rezultati në “Loro Boriçi” ishte minimal.

Futboll më i organizuar e korçarëve, më shumë raste për ta, dhe dominim në fushë, duke mos lejuar Vllazninë që të dilte në lojën e saj. Vetë fakti që goli i fitores u shënua në fund tregoi edhe se Skënderbeu këmbëngul deri sa vërshëllen gjyqtari, një nga kushtet e domosdoshme që një skuadër të triumfojë. Ishte Krasniqi që vendosi fatin e përballjes me rrjetën në minutën e tretë e të fundit shtesë.

Pas 24 ndeshjesh, ish-kampionët kanë 35 pikë , po aq sa Bylisi, duke qenë pranë me Laçin e vendit të tretë, pavarësisht golaverazhit që mbetet ndjeshëm negativ, diçka vërtet e habitshme. Sa për Vllazninë e trajnerit Jonuz, ajo mori një tjetër goditje të fortë, dhe plotësisht të merituar. Diçka e kuptueshme për një klub ku problemet jashtë fushe kanë më shumë jehonë sesa ajo që jep skuadra në terren. Fati i vetëm i shkodranëve është që dy vendet e fundit, që bien direkt nga kategoria, janë të prenotuara nga Flamurtari e Luftëtari.

Sfidanti.al