“Skenari i ferrit”, futbolli humb deri 10 miliardë euro nga koronavirusi!

Jeta është gjëja më e rëndësishme, por siç e kemi provuar edhe vetë, pa punë dhe të ardhura nuk jetohet. Ndërsa kriza e koronavirusit vazhdon të jetë e ashpër në Europë, dhe në pjesën më të madhe të botës, drejtuesit e futbollit kanë bërë disa llogari, dhe ato nuk u kanë dalë aspak mirë. Agjencia e specializuar me inicialet KPMG ka nxjerrë si përfundim se nëse sezoni nuk përfundohet, vlera e futbollistëve pritet të bjerë me 25 për qind, apo me një të katërtën.

Këto llogari bëhen për mbi 4 000 lojtarë të 10 ligave më të forta të Europës. Në total, në rast dështimi të sezonit, mund të arrihet në 10 miliardë euro humbje në vlerën e futbollit. Sipas kësaj agjencie, klubet më të goditur në Europë dhe në botë pritet të jenë Barcelona, Reali i Madridit dhe Liverpuli. Vlera e lojtarëve të Barcelonës pritet të zbresë me mbi 300 milionë euro. Po kështu, vlera e kartonëve të futbollistëve të Realit besohet se do të zbresë me rreth 280 milionë euro.

Liverpuli, kampion i Europës ende në fuqi, do ta ketë këtë shifër në nivelin e 209 milionë paundë stërlinave, që do të thotë rreth 230-240 milionë euro. Nëse do t’ia dalin që ta rinisin sezonin dhe ta përfundojnë në një farë mënyrë, atëherë vlera e lojtarëve mund të bjerë deri në 7 miliardë euro, pra me 70 për qind më pak.

Futbolli, për më tepër, është një industri që ka dhjetëra mijë të punësuar, dhe përbën një pjesë të rëndësishme të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendeve të ndryshme, qoftë edhe më të fuqishmëve si Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë apo Spanjë. Shpresat janë se edicioni mund të përfundohet, ndonëse ende nuk ka siguri të plota.

Sfidanti.al